Edhe Luiz Ejlli në Eurovision?

Këngëtari Luiz Ejlli mund të provojë për herë të dytë skenën e Eurovisionit.

“Shkodra Elektronike”, e cila ka fituar të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision me këngën “Zjerm”, ka paralajmëruar se një anëtar tjetër mund t’i shtohet grupit pas disa ndryshimeve që ata i kanë menduar kur të shkojnë në Eurovision në maj të vitit 2025, shkruan Zeri.info.

“Këngën nuk do ta përpunojmë, vetëm në një rast nëse merr pjesë një artist shqiptar, që tani nuk po ia them emrin, ai do ta kompozojë pjesën e tij, prandaj do të ndryshojë kënga, nëse ai nuk mundet për shkak të impenjimeve që ka, do ta lëmë kështu siç është kënga. Ne ia kemi sugjeruar dhe ai na ka thënë ‘po’, ai është artist që ka shumë koncerte e turne në atë periudhë”, ka thënë Kolë Laca, anëtar i grupit “Shkodra Elektronike” në një intervistë në “Syri TV”.

Ndërkohë, siç ka mësuar “Zëri”, artisti në fjalë mund të jetë këngëtari shkodran Luiz Ejlli, i cili kishte përfaqësuar Shqipërinë në Eurovisionin e vitit 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë”.

Edicioni i 69-të i Eurovisionit do të mbahet në Basel të Zvicrës më 13, 15 dhe 17 maj 2025. /Zëri