Policia jep detaje për valixhen e dyshimtë në afërsi të Gjykatës në Ferizaj

Një valixhe e dyshimtë është gjetur sot në rrugën “Sali Çeku”, afër një ndërtese të banimit në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për lajmi.net se ekipet e Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë siguruar atë.

“Më datën 26.12.2024, rreth orës 10:12, kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Sali Çeku’, në afërsi të një ndërtese të banimit në Ferizaj është një valixhe e dyshimtë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Policisë, të cilët fillimisht kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Njëkohësisht janë njoftuar ekipet përkatëse të deminimit të Policisë, të cilët pritet të dalin së shpejti në vendin e ngjarjes. Për informata shtesë do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Veseli.

Mirëpo nuk ka vonuar shumë dhe është mësuar se brenda valixhes nuk ka pasur asgjë të dyshimtë.

Veseli tha se në lidhje me këtë është lajmëruar qytetarja, e cila e kishte harruar aty pa dashje.

Ndërkaq tashmë të gjitha njësitet janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe është liruar rruga.

“Të nderuar. Ka përfunduar i gjithë operacioni i Policisë në lidhje me informatën e valixhes së dyshuar në rrugën ‘Sali Çeku’ në Ferizaj. Është lajmëruar një qytetare që e ka harruar aty pa dashje. Njekohesisht është kontrolluar valixhja dhe nuk ka pasur asgjë të dyshuar. Të gjitha njësitet janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe është liruar rruga. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i Shtetit”, tha Veseli.

Ndryshe, qytetarja është ftuar për intervistë në Stacionin e Policisë në Ferizaj.