Azemi kritikon Qeverinë: Reduktimet e energjisë pasojë e paaftësisë, LDK-ja do ta ndërtojë termocentralin me gaz

Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka kritikuar Qeverinë për mosmarrjen e masave për parandalimin e reduktimeve të energjisë elektrike. Sipas tij, vendi ndodhet në këtë situatë nga paaftësia e kësaj qeverie.

Ai ka thënë se ky problem mund të zgjidhet me ndërtimin e centralit modern me gaz, që sipas tij është projekt në programin e LDK-së, i cili do të zbatohet sapo kjo parti të vijë në pushtet.

Sipas tij, me këtë projekt modern qytetarët do të furnizohen me energji elektrike të rregullt dhe më të lirë.

Ai përmendi Martin Berishajn e Nagip Krasniqin, figura që LDK-ja i lidh me mafinë energjetike.

“Janë bërë disa ditë e kjo gjendje po na përsëritet çdo vit me reduktimin e rrymës. Gjendja bëhet edhe më e vështirë me motin e ftohtë. Këto reduktime janë pasojë e paaftësisë dhe dështimin e kësaj qeverie që të ofrojnë furnizimit të rregullt me rrymë. Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë përderisa Qeveria mbyll sytë para kësaj. Në gjendje të vështirë janë edhe bizneset. Ky problem është lehtë i zgjidhur me programin e LDK-së që ofron zgjidhje të përhershme. Mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtimin e centralit modern me gaz projekt që është me programin e LDK-së që do të zbatohet sa po të vijmë në pushtet. Qeveria për katër vjet ka treguar që nuk ka vizon e as plan sa i përket energjisë elektrike”, tha ai. /EO