Kurti festoi Krishtlindjet në Gjakovë: Kujdesi, dashuria e sakrifica për njëri-tjetrin qofshin gjithnjë vlerat që na shoqërojnë

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në komunën e Gjakovës, me rastin e Krishtlindjeve.

Kurti ka vizituar disa familje të besimit të krishterë, ndërsa ka vizituar edhe kishën e Shën Ndout.

“Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim e në të gjitha këto vizita e takime këto dy vlera reflektonin qartë. Por edhe unë shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i falënderoj të gjithë ata për mikpritjen e tyre dje”, shkroi Kurti. /Zëri

Shkrimi i plotë:

Dje për Krishtlindje kaluam tërë ditën me vizita e takime në Komunën e Gjakovës. Nga aktiviteti në aktivitet, nga familja në familje me ngrohtësi u pritëm në secilën prej tyre në këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë.

Nga Kisha e Shën Ndout te familja Sebi, nga fshati Vogovë në Pjetërshan, nga familja Rasi në fshatin Kusar te familja Domgjoni në Kushavec, Bishtazhin, Dobrixhë, Novosellë, Bec, Meqë e për ta përfunduar vizitën tonë në disa familje në Doblibare.

Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim e në të gjitha këto vizita e takime këto dy vlera reflektonin qartë. Por, edhe unë shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i falënderoj të gjithë ata për mikpritjen e tyre dje.

Kujdesi, dashuria e sakrifica për njëri-tjetrin qofshin gjithnjë vlerat që na shoqërojnë, sikurse gëzimi e festa mbizotërofshin gjithmonë te qytetarët e familjet tona.