“Refuzimi i 100 eurove”, Bajrami i reagon Muratit: Mos e trajto buxhetin e shtetit si me qenë buxheti yt personal
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qytetarët që nuk dëshirojnë të pranojnë ndihmën prej 100 eurosh nga Qeveria, mund ta refuzojnë atë.
Kjo deklaratë ka ngjallur reagime, përfshirë atë të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami i ka drejtuar dy pyetje ministrit Murati, duke kritikuar qasjen e tij.
“Dy pyetje për Hekuran Muratin: Qytetarëve, të cilët në këto ditë të ftohta s’po kanë rrymë nga 8 orë, Hekurani sot ju paska dhënë një mundësi: ai paska thënë: ‘Nëse nuk i doni 100 euro, mos i merrni’, dhe po ju tregon mënyrën se si mund t’i refuzoni ato”.
A e kanë mundësinë qytetarët mos me i pagu faturat e rrymës, pasi që në këto ditë të ftohta po përballen me nga 8 orë reduktime?
A e kanë pasur qytetarët mundësinë mos me paguar 50% më shumë TVSH si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve?
Tutje Bajrami tha se Murati nuk duhet ta trajtojë buxhetin e shtetit si me qenë buxhet i tij personal.
“Ti thjesht ke mbledhur tatime e taksa për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë, dhe meqë ke dështuar, tash po ua kthen qytetarëve një pjesë të parave të tyre. Kaq”, shkruan Bajrami.