Kaos para ndërtesës së Kuvendit të qytetit të Beogradit, përleshën aktivistët dhe policia

Para fillimit të seancës së Kuvendit Komunal të kryeqytetit serb, Beogradit, hyrja e ndërtesës është bllokuar nga këshilltarët e qytetit, si dhe qytetarët me pankarta. Të mbledhur janë kundër prishjes së Urës së Vjetër të Savës.

Pjesëtarët e policisë kanë qëndruar në hyrje të sallës së kuvendit dhe në një moment ka pasur edhe një shtytje me qytetarët dhe këshilltarët e mbledhur, raporton nova.rs.

Qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet “Nuk lëviz, dua të jetoj në bllokun 4”, si dhe “Nuk do të na murojnë! Blloku 4”.

Nisma “Ura mbetet”, e cila po kundërshton shembjen e Urës së Vjetër të Savës, u bëri thirrje qytetarëve dhe këshilltarëve të opozitës që të bllokojnë seancën ku duhet të vendoset buxheti i qytetit për vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, ngjyrë e kuqe u derdh para Kuvendit të Qytetit të Beogradit.

Ndryshe, komuna ka vendosur shembjen e urës, simbol i qytetit, për të vazhduar me projektin “Beograd në ujë”. /Telegrafi/