Kurti: Sulme të nxitura nga Serbia mund të ndodhin edhe para dhe pas Vitit të Ri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mund të ndodhin ende sulme të reja nga Serbia, dhe grupet që ajo i financon.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se sulme të tilla mund të ndodhin edhe para dhe pas Vitit të Ri.

“Sulme të tjera terroriste dhe sabotazhe ndaj strukturës kritike dhe objektitave të tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri. Janë paralajmëruar nga organizatat terroristë që po strehohen në Serbi duke përmendur festat e fundvitit dhe Krishtlindjen ortodokse. Sulmet mund të synohen të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi, protestat e vazhdueshme opozitare atje”.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”

“Mirëpo, jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë  ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër se sulme të tilla, janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme. Veçmas nëse këto shtete e kanë mbështetjen dhe sponzorimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv