Aktakuzë ndaj një serbi, dyshohet për dhunë seksuale gjatë luftës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet G.V., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Prokuroria ka njoftuar se hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999 i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar.

“Në mbështetje të neneve 234, par. 2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri G.V. është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga Neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.

“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim. /Zëri