BE-ja kërkon funksionalitetin e RTK-së dhe KPM-së para zgjedhjeve

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë nominimet për Bordin e RTK-së dhe Komisionin e Pavarur të Medias, për të siguruar funksionalitetin e këtyre dy institucioneve para mbajtjes së zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësja e BE-së, Zyra në Prishtinë, Joanna Lachana, e cila ka thënë se BE-ja tashmë i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit dhe liderëve të grupeve parlamentare.

“Konfirmojmë se BE-ja i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit dhe liderëve të grupeve parlamentare, duke kërkuar nga Kuvendi që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vazhduar me nominimet e nevojshme për Bordin e RTK-së dhe Komisionin e Pavarur për Media. Ky veprim është thelbësor për të siguruar që të dyja këto institucione të mbeten funksionale dhe të kenë një kuorum vendimmarrës gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha Lachana.

Ajo shtoi se RTK është një akter kyç në procesin zgjedhor, duke siguruar mbulim të paanshëm dhe duke mundësuar që të gjitha zërat të dëgjohen, për t’i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje të informuara.

Ajo theksoi gjithashtu se “një ndërprerje e mundshme në vendimmarrjen e KPM-së gjatë zgjedhjeve mund të rrezikonte autoritetin e tij mbikëqyrës dhe mundësinë për të ndërmarrë masa sanksionuese si organ rregullator”.

Bashkimi Evropian apelon për një veprim të shpejtë dhe të koordinuar nga ana e Kuvendit për të siguruar që këto institucione të jenë në gjendje të mbështesin procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve.

Kujtojmë se aktualisht në Bordin e RTK-së janë vetëm katër persona, një nënkryetar dhe tre anëtarë, kjo pas dorëheqjes së disa prej anëtareve të këtij bordi dhe kryetarit që ndodhën muaj më parë.