GAP: Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike mbetet relativisht i ulët

Përfaqësimi i grave në menaxhmentin e lartë në ndërmarrjet publike mbetet relativisht i ulët. Ndonëse gjatë vitit 2023 dallohet një zhvillim pozitiv, përqindja e grave që mbajnë pozita të tilla në këto 16 ndërmarrje publike është rritur nga 21 në 26 për qind. Kurse, në administratë, 31 për qind e të punësuarve në këto ndërmarrje publike janë gra, ndërsa 69 për qind burra, raporton Ekonomia Online.

Këto të dhëna u publikuan të martën nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Një dallim më i madh mbetet te të punësuarit në terren ose prodhim te këto ndërmarrje, ku 96 për qind e të punësuarve janë burra, ndërsa vetëm 4 për qind gra.

Në periudhën 2021-2023, vërehet një rënie në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në këto ndërmarrje publike, ku në vitin 2023 ka rreth 8.8% më pak punonjës se në vitin 2021.

Telekomi i Kosovës ka rreth 488 punëtorë më pak (-21.2%), “Trepça” 290 (-19.6%), KEK-u 146 (-3.9%) etj. Faktorët që kanë ndikuar në uljen e numrit të punëtorëve janë mosha e shtyrë, pakot e daljes vullnetare nga puna të adoptuara nga disa ndërmarrje, si dhe riorganizimi ose sistematizimi i vendeve të punës. Për nga aspekti i rritjes së numrit të punëtorëve, vetëm KRU Prishtina ka një rritje më përmbajtësore (+11.9%), me 65 punëtorë më shumë në vitin 2023 se në 2022.

Anisa Zogaj nga Instituti GAP, ka thënë se ky raport analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe terren.

“Ndër vite, shumë nga ndërmarrjet publike nuk kanë zbatuar Ligjin për barazinë gjinore, i cili është i integruar edhe në Ligjin për ndërmarrjet publike, që obligon përfaqësim të barabartë të burrave dhe grave në pozitat e larta udhëheqëse. Shkalla e punësimit të grave nëpër ndërmarrje publike është jo-proporcionale me atë të burrave, si në nivelin drejtues, po ashtu edhe ne punën në administratë dhe punën në terren. Raporti analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në gjithsej 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe ne terren”, deklaroi Zogaj.

“Viteve të fundit, vërehet një trend më pozitiv veçmas në përfaqësimin e grave në bordet e ndërmarrjeve, por edhe pozitat e larta menaxheriale. Konkretisht, në dhjetor të vitit 2024, në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara, mbi 40% e anëtarëve të bordeve janë gra, ku në rastin e Telekomit (80%), KRU ‘Mitrovicës’ (60%), Postës së Kosovës (50%) dhe KRU ‘Radoniqit’ (50%) kjo shifër arrin në 50% ose më lart”, ka thënë ajo.

Besart Zhuja, nga Instituti GAP, ka thënë se raport statistikor ka pasur fokus aspektin e bilancit gjinorë nëpër ndërmarrjet publike, duke shtuar se subjekt i këtij raporti janë ndërmarrjet publike qendrore dhe rajonale të ujit.

Zhuja ka thënë se nga të dhënave e paraqitura në këtë raport, nga viti 2021 deri në vitin 2023, nga gjithë të punësuarit nëpër ndërmarrjet publike, mesatarisht për këto vite 11% të punëtorëve janë gra, kurse 89% burra, gjë që sipas tij tregon një hendek të theksuar gjinor.

“Si trend i përgjithshëm i punësimit, nëpër ndërmarrjet e analizuara, kemi një ulje të numrit të përgjithshëm të të punësuarve nëpër ndërmarrjet publike në një mesatare prej 6.2% ose 994 veta më pak të punësuar. Këtu prijnë ndërmarrjet si Telekomi me 488 më pak punëtorë në vitin 2023 sesa në vitin 2021, pasuar nga ‘Trepça’, KEK-u dhe ‘Ibër Lepenci’. Në këtë ulje kanë ndikuar një seri e faktorëve siç janë pensionimi i parakohshëm dhe riorganizimet e fuqisë punëtore. Pra, ky trend i rënies së numrit të punëtorëve është i dukshëm tek 10 nga 16 ndërmarrjet e analizuara”.

“Sidoqoftë, një trend që shkon në anën e kundërt, pra të rritjes së numrit të punëtorëve vërehet kryesisht te Kompanitë Rajonale të Ujërave: e këtu përfshihen: KRU ‘Prishtina’ me rritjen më të madhe me 65 punëtorë më shumë nga viti 2021 në vitin 2023, pasuar nga Hidroregjioni Jugor dhe ‘Bifurkacioni’. Për nga aspekti i përgjithshëm i punësimit gjinorë, pra, nga gjithë të punësuarit nëpër NP, mesatarisht për këto vite 11% të punëtorëve janë gra, kurse 89% burra. Që tregon një hendek të thellë të përfaqësimi në ndërmarrjet publike”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se hendeku gjinor ka edhe në punësimin në punët e terrenit, si dhe administratë.

“Si përqindje e të punësuarve në punët e terrenit, gratë përbëjnë vetëm 4% të punës në terren, derisa ka dominim absolut të burrave me 96%. Kur flasim për punësimin në Administratë, po ashtu ekziston hendeku mes burrave dhe grave, kemi një mesatare, 69% të të punësuarve janë burra, kurse 31% gra. Edhe këtu, sikurse tek rasti i punësimit të përgjithshëm, vërejmë se ka një rritje për 1% të grave, derisa ka një ulje prej 1% të burrave që janë të punësuar në Administratë”.

“Menaxhmeti, kur flasim për menaxhmentin, flasim për katër pozitat e lartë në ndërmarrje të përcaktuara në ligj. Aktualisht, hendeku mes burrave dhe grave për kryeshef ekzekutiv vërehet qartë, i kemi vetëm dy nga 16 ndërmarrjet e prezantuara udhëhiqen nga gratë, derisa 14 ndërmarrje si kryeshefa janë burra. Derisa në KEK, ‘Ibër Lepenc’, ‘Drinin e Bardhë’ dhe Hidroregjionin Jugor nuk ka asnjë grua në pozitat e larta”, ka thënë ai.