Cakolli: Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe do të rrëzohet
Eugen Cakolli, menaxher i Programeve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe, duke theksuar se ky vendim ka shumë gjasa të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ose Gjykata Supreme.
Sipas Cakollit, precedenti i vitit 2019 është një shembull i qartë që tregon se KQZ-ja nuk ka autoritet ligjor për të vendosur kritere shtesë përtej atyre të përcaktuara me ligj.
Ai shtoi se statuti dhe programi i Listës Serbe, formalisht, nuk përmbajnë elemente kundërkushtetuese, duke sugjeruar se kjo parti përmbush kriteret bazë për t’u certifikuar.
Cakolli paralajmëroi se ky vendim mund të dëmtojë reputacionin e Kosovës, duke e paraqitur atë si një vend ku ndërhyrjet politike ndikojnë në proceset zgjedhore.
“I vetmi rezultat që do ta prodhojë vendimmarrja e sotme, është paraqitja jonë si palë ku ndërhyhet politikisht në zgjedhje, ku nuk përfillen kriteret e caktuara ligjore, apo ku partitë e komuniteteve jo-shumicë “pengohen” të garojnë në zgjedhje”, ka deklaruar Cakolli.
Ai theksoi se shqetësimet e ligjshme për aktivitetin e Listës Serbe duhet të trajtohen përmes procedurave të rregullta ligjore për çregjistrimin e një partie politike, e jo me vendime të nxituara si ky i refuzimit të certifikimit.
“Rendi ligjor funksionon mbi bazën e procedurave dhe rregullave, jo mbi fjalët dhe diskurset politike,” përfundoi ai, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të drejtë dhe të ligjshme në trajtimin e çështjeve të tilla./Telegrafi/