Haxhiu: Në bazë të Konventës për Ekstradim, Serbia detyrohet ta dorëzojë Radoiçiqin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar më 23.12.2024 se ka bërë kërkesë që emri i Millan Radoiçiqit të futet në listën e të kërkuarve nga Interpol.

Sipas ministres së Drejtësisë, futja e Radoiçiqit në listën e Interpolit, sipas Konventës për Ekstradim, ka fuqinë juridike të kërkesës për arrestim të përkohshëm me qëllim të ekstradimit.

“Pra, proceduralisht sipas kësaj Konvente, Serbia detyrohet që të arrestojë kryeterroristin Millan Radoiçiq dhe terroristët e tjerë dhe brenda 40 ditëve, pra është arrestim i përkohshëm, Kosovës i kërkon që të bëjë kërkesë për ekstradim. Dhe natyrisht që ne do ta bënim, kështu bëjmë me gjithë rastet e tjera, atëherë brenda afatit Serbia detyrohet që ta dorëzojë në Kosovë”- ka deklaruar Haxhiu, të hënën, më 23.12.2024.

Sipas saj, është e rëndësishme që të bëhet trysni ndaj Serbisë në mënyrë që ta dorëzojë Radoiçiqin duke thënë se institucionet gjegjëse në Kosovë kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e tij në Republikën e Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket dorëzimit të tyre në territorin e  Republikës së Kosovës”- ka shtuar tutje Haxhiu.

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Radoiçiq, prej vitesh, është nën sanksionet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar.