Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ: MPB-ja të sqarojë pse heshti për verifikimin e Listës Serbe

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, tha se Lista Serbe nuk u certifikua për shkak të qëndrimit të kësaj partie në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ai shkroi në Facebook se Ministria e Punëve të Brendshme nuk pati vërejtje për certifikimin e kësaj partie.

“Shpifësit vazhdojnë me avazin e tyre katërvjeçar të manipulimit të fakteve dhe populizmit shterpë. Lista Serbe nuk u certifikua, pikërisht për shkak të qëndrimit tonë në KQZ".

“Si PDK, qëndruam në sallë dhe nuk votuam për certifikimin e Listës Serbe, por kërkuam sqarime pse: – Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasur asnjë vërejtje për certifikimin e Listës Serbe. Ministria e Punëve të Jashtme gjithashtu nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj Listës Serbe”, shkroi Elshani.

Ai tregoi se ka kërkuar nga kryetari i KQZ-së që “të konsultohet edhe një herë me MPB-në” sepse “është jashtë çdo norme që ata që duhet të merren me çështje të sigurisë të heshtin përballë Listës Serbe”.