Nënshkruhet marrëveshja për certifikimin e produkteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë nënshkrimin e marrëveshjeve për certifikim të produkteve.

Kjo marrëveshje kap vlerën e 300 mijë eurove për fazën e dytë, që ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar përmes rritjes së eksportit apo rritjes së pjesëmarrjes së produkteve vendore në tregun ndërkombëtar.

Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari ka theksuar se kanë për qëllim strategjik zhvillimin e sektorit privat, pasi siç tha ajo, është premtues për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ndërsa ka shtuar se deri në vitin 2030 industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.

Ndërsa, ka thënë se kjo është faza e dytë me qëllim që të mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për certifikim.

“KIESA pas gjitha këtyre analizave, pas politikes industriale me orientim strategjik ka lansuar thirrjen publike për skemën e granteve që është thirrja e dytë publike vetëm për certifikim të produkteve. Kjo është faza e dytë me qëllim që të mbështeten ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për certifikim. Kjo skemë ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar përmes rritjes së eksportit, rritjes së investimeve dhe punësimit duke përfshirë edhe nxitjen e bizneseve që të kontribuojnë dhe përfitojnë përmes ekonomisë qarkore…Kjo thirrje është vetëm 300 mijë euro për fazën e dytë, ku loti 1 ka pasur ndërmarrjet mikro, të punësuara deri në nëntë punëtorë, loti 2 ndërmarrjet e vogla, që punësojnë 10 deri në 49 punëtorë dhe loti 3 që i ka pas në synim ndërmarrjet e mesëm që ka të punësuar 50 deri në 249 punëtorë. Gjithsej janë 16 biznese përfituese që kanë përfituar dhe do të punësojnë rreth 70 punëtorë siç është planifikuar nga këto biznese përfituese”, tha Hajdari.

Në anën tjetër, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj ka thënë se viti 2024 po përmbyllet me 308 biznese prodhuese, përpunuese të ndryshme përfituese në këtë drejtim.

Dedaj: Po e përmbyllim vitin me 308 biznese prodhuese përpunuese të ndryshme përfituese

Video:

“Po e përmbyllim vitin me 308 biznese prodhuese përpunuese të ndryshme përfituese. Sot jemi këtu në fazën e dytë që në total kanë qenë diku rreth gjysmë milioni euro. Kemi pas një fazë paraprakisht gjatë këtij viti kanë tepruar mjete kemi vazhduar me fazën e dytë dhe sot jemi këtu për nënshkrimin e marrëveshjeve për certifikimin, i kemi 17 kompani do ti kemi prezent 16 sepse njëra është pranuar në listën e ankesave”, tha Dedaj.