Antonio Tajani vjen në Kosovë, viziton KFOR-in italian për Krishtlindje
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, sot viziton Kosovën.
Përveçse do të takohet me ushtarët e kontingjentit italian në Kosovë, ai do të ketë takime edhe me komandantin italian të KFOR-it, gjeneralin Enrico Barduani, si dhe shefin e misionit EULEX, gjeneralin Giovanni Pietro Barbano.
Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Jashtme e Italisë nuk bëhet e ditur për ndonjë takim të Tajanit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
“Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, qëndron sot për një vizitë në Kosovë. Qëllimi i vizitës së tij është të takojë kontingjentin italian në misionin e KFOR-it, para festës së Krishtlindjes”, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Italisë, transmeton Radio Kosova. Lajmi transmetohet edhe nga media të tjera italiane.
“Është krenari e madhe të përcjell përshëndetjet e qeverisë italiane për gratë dhe burrat që shërbejnë në misionin e KFOR-it”, citohet të ketë thënë para nisjes ministri i jashtëm italian, Tajani.
“Falënderimet më të sinqerta u drejtohen të gjithë ushtarëve italianë në botë që shërbejnë për kauzën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht në rastet si Krishtlindja, kur do të donim të ishim pranë shtëpisë dhe njerëzve të tyre të dashur”, theksohet në deklaratën e Tajanit, që transmetohet nga Ministria e Jashtme italiane.
“Misioni i KFOR-it është me rëndësi thelbësore për stabilitetin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit dhe Italia i kushton rëndësinë të madhe, ndërsa mbështet perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
“Italia është në vazhdimësi vendi me kontribut më të madh në KFOR për sa i përket personelit të vendosur në Kosovë. Kjo konfirmon rolin qendror që Italia luan për stabilitetin në rajonin e Ballkanit, i cili sot është edhe më domethënës, duke pasur parasysh faktin se Italia drejton komandën e KFOR-it, që mori më 11 tetor nga Turqia”, thuhet në njoftim.