Pozitë e opozitë e vlerësojnë Kuvendin si transparent e llogaridhënës

Kuvendi i Kosovës është institucioni më transparent dhe llogaridhënës në Republikën e Kosovës. Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare.

Në konferencën përmbyllëse me temën “Transparenca parlamentare” u përmenden arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen.

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryesuese e Forumit për Transparencë Parlamentare, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni më transparent.

“Nuk dua të ndalem dhe të flas specifikisht për aktivitetet tona sepse janë shumë, por vetëm dua të them që është bërë një punë e jashtëzakonshme për ta bërë Kuvendin siç është sot. Tani nuk jemi të kënaqur sepse ka ende punë për të bërë por megjithatë situata në të cilën e gjejmë vetën sot është krejt ndryshe siç ka qenë para katër vitesh dhe dua t’i falënderoj secilin anëtarë të Forumit për punën që kanë bërë për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit dhe falë kësaj pune, Kuvendi sot është institucioni më transparent dhe llogaridhënës në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe më transparenti ndër Kuvendet në rajon”, tha ajo.

Driton Selmanaj, anëtar i këtij Forumi, tha se arritjet e deritanishme janë falë edhe punës së legjislaturave të kaluara.

“Ka kohë që jam pjesë e kësaj strukture dhe ndihem mirë që Kuvendi është storie suksesi dhe nuk është vetëm punë e kësaj legjislature, por edhe ato të kaluarës. Normalisht që kjo nuk do bëhej pa një ndihmë të jashtëzakonshme të NDI-së”, tha Selmanaj.

Violeta Haxholli, anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare (KDI), tha se Kosova vitin e kaluar është bërë anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur tregon për suksesin e arritur deri më tani.

“Pa dyshim që Kuvendi ka shënuar hapa të suksesshëm drejt transparencës, vetë fakti që Kosova vitin e kaluar është bërë anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur tregon për suksesin e arritur deri më tani. Megjithatë ne si anëtarë kemi ato kritikat tona se çfarë mund të bëjë Kuvendi më shumë për t’u përmirësuar më shumë në transparencë”, tha Haxholli. /eo