35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë të partisë kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 35-të të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka kujtuar 23 dhjetorin e vitit 1989, datë kjo kur intelektual të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

“Sot nderojmë dhe kujtojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 datën që 35 vjet më parë intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtarë për liri, pavarësi e demokraci. Themeluan Lidhja Demokratike të Kosovës dhe në krye të saj u vendos arkitekti i vet Kosovës presidenti historik Ibrahim Rugova, tek i cilin sot bëmë nderime”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë të rikujtojë momentet historike që të bëhen bashkë dhe të krijohen momentume të reja.

“35 vjet më pas ne pasardhësit politikë të Rugovizmit kujtojmë të tri dekadat e gjysmë të veprimit të madh politik të kësaj lëvizjeje të madhe shqiptare e kombëtare dhe nderojmë të gjitha figurat në këtë shtëpi të madhe. Rikujtojmë nevojën që momentet historike të bëhen bashkë dhe të krijojnë momentume të reja. Ky momentum i ri na vjen me zgjedhjet e reja 9 të shkurtit”, ka thënë Abdixhiku. /eo