Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim të prindërve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në lansimin e pilotimit të Programit të Kuponëve në kuadër të projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”, ka folur për rëndësinë e këtij programi.

Ai tha se pjesëmarrja në edukimin e hershëm u ofron fëmijëve mundësi më të mëdha për zhvillim kognitiv, social emocional e fizik, si dhe përmirëson aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve.

Kurti tha se përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve e posaçërisht të nënave duke shërbyer si faktor rritje e qëndrueshmërie ekonomike krahas stabilitetit social dhe psikologjik.

“Ky proces është drejtpërdrejt i lidhur me prioritet tona strategjike dhe me politikat relevante të ndërmarra gjatë këtij mandat të qeverisjes sonë”, tha Kurti, teksa shtoi se me miratimin ligjit për fëmijërinë e hershme në Kuvend në korrik të vitit të kaluar, me hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin e saj tani po dëshmohet se veprat flasin më shumë sesa fjalët.

Kurti më tej tha se gjatë mandatit qeverisës, po dëshmohet se si qeveri po qëndron besnik premtimeve të dhëna në mënyrë institucionale dhe me veprim efikas ndërsektorial. /rtk