Liverpooli vazhdon shkëputjen në tabelë, “gjunjëzon” Tottenhamin në udhëtim

Liverpooli ka shënuar fitore të thellë me rezultat 6-3 ndaj Tottenhamit në udhëtim në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit anglez.

Mysafirët e nisën me ritëm të lartë këtë sfidë duke krijuar tri raste të njëpasnjëshme me Mohamed Salah, por duke mos arritur që ta gjejnë golin.

Pas disa përpjekjeve, ishte Luis Diaz ai i cili realizoi në minutën e 23-të me kokë pas asistimit të Trent Alexander-Arnold për t’i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Në të njëjtën mënyrë shënoi edhe Alexis Mac Allister i cili në minutën e 36-të me kokë realizoi për 2-0 duke mos i lënë asnjë gjasë portierit vendas që të reagojë.

Vendasit arritën që ta ngushtojnë rezultatin në minutën e 41-të përmes James Maddison i cili shënoi një gol të bukur nga jashtë zonës për 2-1.

Sidoqoftë, Liverpooli nuk u ndal më kaq dhe e gjeti edhe golin e tretë kësaj radhe me Dominik Szoboszlai i cili në minutat shtesë të pjesës së parë realizoi për 3-1 pas asistimit të Mohamed Salah.

Në pjesën e dytë ishte pikërisht reprezentuesi egjiptian ai i cili kaloi në rolin e golashënuesit duke e gjetur rrugën e rrjetës në dy raste.

Salah fillimisht realizoi për rezultatin 4-1 në minutën e 54-të pas një topi të kthyer në zonë, teksa golin e dytë e gjeti në minutën e 61-të duke shënuar për 5-1 pas një asistimi të bukur nga Szoboszlai.

Tottenhami në ndërkohë arriti që të gjejë golin edhe në dy raste të tjera përmes Dejan Kulusevskit për 5-2 dhe Dominic Solanke për 5-3, por jo mjaftueshëm për ta evituar humbjen.

Për epilogun përfundimtar të takimit u përkujdes Luis Diaz i cili në minutën e 86-të shënoi për rezultatin 6-3.

Me këtë fitore Liverpooli vazhdon shkëputjen në tabelë dhe tashmë ka 39 pikë, katër më shumë se Chelsea në vendin e dytë që ka 35 sosh, por ‘Të Kuqtë’ kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/