Si do të veprohet me marrëveshjen me Shqipërinë? Meloni mbledh qeverinë italiane

Qeveria italiane do të vendosë të Hënën se si do të veprohet në vazhdim me dërgimin e emigrantëve të jashtëligjshëm në kampet e riatdhesimit në Shëngjin dhe Gjadër.

“Kam thirrur për nesër një mbledhje qeverie për çështjen e Shqipërisë se si do të vazhdojmë”, tha Meloni.

Duke folur gjatë samitit Veri-Jug në Finlandë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni sqaroi se Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë qeverisë së saj në mosmarrëveshjet me gjykatën e Romës.

“Më duket se Gjykata e Lartë ka rënë dakord në thelb me qeverinë italiane për faktin se është e drejtë e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ndërsa gjykatësit mund të ndërhyjnë në çështje individuale në lidhje me këto lista, por jo t’i zhbëjnë ato”, u shpreh Meloni.