Protesta të tjera të mëdha në Beograd, njerëz të shumtë ia mësyjnë qendrës së qytetit – kishte mesazhe si “Duart e tua të përgjakura”

Në kryeqytetin serb, Beograd, sot po zhvillohen protesta të reja të mëdha, me qendër grumbullimi në disa pjesë të qendrës së qytetit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, protesta filloi në orën 16:00 dhe për ditë me radhë aktorë, profesorë, muzikantë dhe studentë të shumtë u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë në “Slavija” dhe kështu të tregojnë pakënaqësinë e tyre ndaj pushtetit aktual në Serbi.

Si edhe më parë, nismëtarë të këtyre protestave ishin studentët, ndërsa mediat në Serbi raportojnë se studentë dhe nxënës janë mbledhur në disa lokacione të qytetit.

 

 

Siç dihet, kërkesat e studentëve mbeten të njëjta – hapja e dokumente sekrete për ngjarjen tragjike në stacionin e trenit në Novi Sad, heqja e akuzave ndaj të arrestuarve dhe të ndaluarve në protesta, si dhe ngritja e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të studentëve dhe profesorëve.

Studentët po ashtu kërkojnë rritje prej 20 për qind të ndarjeve buxhetore për fakultetet.

Në këto protesta mund të shihen edhe pankarta të shumta, ndër të cilat ato me mbishkrimet “Duart e tua të përgjakura”.

Studentëve në protestë do t’i bashkohen edhe fermerët, të cilët sipas raportimeve të mediave tashmë janë vënë re tensionet e para me policinë, duke qenë se policia ka bllokuar mbërritjen e fermerëve me traktorë në këtë shesh. /Telegrafi/