Presidentja Osmani i uron mirëseardhje Starlinkut në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink.

“Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në platformën "X", duke etiketuar kompanisë Starlink dhe inovatorin Elon Musk.

Ndryshe inovatori Elon Musk, në pronësi të së cilit është edhe kompania Starlink, ka njoftuar se tashmë shërbimet e internetit që ofron kompania e tij janë të disponueshme edhe në Kosovë.

“Interneti me shpejtësi të lartë dhe pa ndërprerje, i ofruar nga Starlink tani është i disponueshëm në Kosovë”, ka njoftuar kompania Starlink.

Këtij njoftimi i ka dhënë jehonë edhe vet Elon Musk duke njoftuar për fillimin e shërbimeve të Starlinkut në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë njoftuan më 21 tetor se e kanë autorizuar kompaninë amerikane, Starlink, për ofrim të internetit satelitor në Kosovë.