VV-ja bëhet anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste

Lëvizja Vetëvendosje është bërë të shtunën anëtare me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste.

Lajmi është bërë i ditur nga VV-ja, përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Kjo organizatë, e cila është më e madhja social-demokrate në botë dhe ka anëtarë nga mbi 100 shtete, promovon politika progresiste për arritjen e barazisë në mbarë globin.

Postimi i plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! bëhet anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste

Lëvizja VETËVENDOSJE! është tashmë anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste (Socialist International). Kjo organizatë, e cila është më e madhja social-demokrate në botë dhe ka anëtarë nga mbi 100 shtete, promovon politika progresiste për arritjen e barazisë në mbarë globin. Përballë rrezikut të së djathtës ekstreme dhe autoritarizmit, Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron përkrah partive simotra në angazhimin e përbashkët për paqe dhe demokraci.

Që nga viti 2018, Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte anëtare vëzhguese, pra me të drejta të kufizuara. Sot, me votë unanime të Këshillit që po mbahet në Rabat të Marokut, ne bëhemi më të fuqishëm brenda Internacionales dhe njëherësh më të përkushtuar ndaj kauzës sonë të përbashkët. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjitha partitë anëtare dhe miqtë që kanë mbështetur aktivisht kandidaturën tonë. Falënderime të veçanta i shprehim z. Pedro Sánchez, President i IS dhe Kryeministër i Spanjës, për mbështetjen e pakursyer.