Shërbimi Spitalor del me sqarim pas vdekjes së fëmijës njëvjeçar në QKUK
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar lidhur me raportimet për vdekjen e një fëmije rreth 1-vjeç, duke ofruar detaje mbi trajtimin mjekësor të ofruar nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë dhe Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
SHSKUK njofton se sipas informacioneve nga Spitali i Gjakovës, fëmija i moshës rreth 1 vjeç, është sjell nga prindërit, rreth orës 21:00, në kujdestarinë e mbrëmshme, në Repartin e Pediatrisë, me gjendje shumë të rënduar shëndetësore.
“Menjëherë janë marrë masat e nevojshme nga ekipi kujdestar, duke parë edhe gjendjen e rënduar të fëmiut, ku pas vendosjes së terapisë, në ora 21:40 është nisur për trajtim të mëtejshëm në QKUK, si rast emergjent”, thuhet në njoftim.
“Sipas raportit të Klinikës Infektive, fëmiu, me autoambulancë është sjell në ora 22:50 në Klinikën Infektive, me gjendje shumë të rënduar, me diagnozë sepsis meningococica (infeksion i rëndë që kishte përfshirë krejt sipërfaqen trupore)”, vijon njoftimi i QKUK-së.
Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe masave reanimatore, gjendja e fëmijës vazhdoi të përkeqësohej derisa ai ndërroi jetë.
“Nga mjekët kujdestar fëmiut menjëherë i ofrohet gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor dhe dërgohet në Repart për reagim të shpejtë, pa humbur kohë me procedura administrative në pranim.
Fëmiu vendoset në oksigjeno-terapi, bazuar në protokollet mjekësore. Përkundër masave reanimatore, gjendja e fëmiut vazhdimisht rëndohej edhe me rënie parametrave vital, ku në ora 23:40 përkundër kujdesit të vazhdueshëm, fëmiu vdes”.
SHSKUK theksoi se i ndjeri kishte marrë kujdesin maksimal në të dyja institucionet mjekësore, por për shkak të gjendjes së tij shumë të rënduar nuk kishte mundur të mbijetonte.