Sulmoi dhe goditi në gjoks e bark zyrtaren policore, 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit nga Gjakova

Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit tridhjetë (30) ditë të pandehurit Z. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale atë të sulmit ndaj personit zyrtar dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas kërkesës, më 20 dhjetor 2024, rreth orës 11:30, në lagjen B., në Rr. “D.”, Gjakovë, në shtëpinë e të pandehurit, ky i fundit sulmon zyrtaren policore D. N., gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

“Pasi patrulla policore po kryente kontroll sigurie për një rast të vrasjes në tentativë, i pandehuri, i revoltuar me vajzën e tij E. Z., tenton ta sulmojë atë. Zyrtarja ndërhyn për ta penguar, por i pandehuri e shtyn, e fyen me fjalë ofenduese dhe e godet në gjoks e bark, duke ia hequr pajisjen zyrtare (sprej-in)”, njofton Gjykata Themelore.

Gjatë kontrollit, Gjykata njofton në katin e dytë të shtëpisë, policia gjen një armë automatike AK-47 me katër karikatorë, 13 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një dylbi të zezë dhe tre karikatorë të tjerë në dhomën e të pandehurit. Të gjitha armët dhe municioni mbaheshin në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Sulmi ndaj personit zyrtar” në dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, i ndikimit në prova dhe rreziku i ikjes.

“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 dhjetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 19 janar 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimi.