Bajraktari sygjeron Kurtin: Po të këshillojnë keq, shko në Prokurori kryeministër

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se kryeministrin e Kosovës Albin Kurti po e këshillojnë keq sa i përket refuzimit për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Bajraktari përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se nuk do të doja që kryeministri i vendit tim të ndëshkohej për mosshkuarje në PSRK, raporton Zeri.info.

“Po të këshillojnë keq, shko Kryeministër, shko në Prokurori. Për të hënën, më 16 dhjetor, nga dikush u kuptua, e nga dikush u keqkuptua, e mbi të gjitha u mirëkuptua pa mundësia objektive për të qenë i pranishëm, në ambiente të Prokurorisë, Kryeministri i vendit tim. Nuk do të doja që kryeministri i vendit tim, vend i ndërtuar me shumë mund e sakrificë, bashkë me aleatët – shtetet më demokratike në botë, i përballur me padrejtësi dhe me trajtim ndryshe e trajtim të pa barabartë të mos i përgjigjej një ftese të tillë, nuk do të doja që kryeministri i vendit tim të ndëshkohej (pavarësisht vlerës së ndëshkimit) për mos shkuarje dhe mos arsyetim të saj. Dëmi është më i madh që i bëhet dhe mund t’i bëhet vendit në raport me çfarëdo kalkulimi apo përfitimi momental”, ka shkruar Bajraktari.