Rama: Pa krerët e UÇK-së nuk nisemi për në Bruksel

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka bërë të qartë që, sipas tij, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të nisen për integrimin në Bruksel pa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në një proces gjyqësor krejtësisht të padrejtë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kështu ka thënë ai gjatë një fjale përshëndetëse në Kuvendin e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka ngritur shqetësime shumë të mëdha për procesin që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë, ku solli shembuj konkretë mbi pse mendon se procesi është krejtësisht i keqpërdorur.

Por, mbi të gjitha, ai shprehu edhe një keqardhje të madhe për faktin se në Kuvendin e Kosovës, nuk ka pasur kurrë një rezolutë të gjithëpranuar (të paktën nga partitë shqiptare), për të kërkuar llogari ndaj vendeve financuese të Dhomave Speciale, mbi cenimin e standardeve në procesin e gjykimit kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

“Në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga dyshimi, se ai proces është i parregullt ligjor, dhe se standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të çdo vendi demokratik që e financon atë gjykatë”, shtoi ai.

Rama e saktësoi se ai nuk mendon se Gjykata nuk është e pavarur, pasi ajo është e tillë, por fakti sipas tij është se standardet nuk janë të varura nga gjykatësit.

“Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron, atëherë kjo është gjemë e madhe. Jo për ata katër njerëz të thjeshtë, por për vete integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi republikën. Prandaj nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vet deri në fund”, vijoi.

Teksa përmbylli: Dua ta dini të gjithë se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe nëse do na kërkohej që një nisem të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendit të Shqipërisë, PS-ja do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë.