Vite pasi kishin humbur kontaktet, Parashqevi Simaku më në fund takohet me nipin e saj

Pas një periudhe të gjatë shkëputjeje nga familja, këngëtarja e madhe shqiptare Parashqevi Simaku është takuar më në fund me nipin e saj, Anin.

Lajmi është bërë i ditur nga sipërmarrësi shqiptar Elton Ilirjani, përmes një fotografie të publikuar në Instagram.

Në imazh Parashqevia shfaqet përkrah nipit të saj, duke sjellë emocione të thella për të gjithë ata që kanë ndjekur historinë e saj.

Sapo mësoi për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej halla e tij, Ani u nis menjëherë për në New York City, sapo siguroi informacionin për vendndodhjen e saj. Për vite të tëra familja kishte humbur çdo kontakt me Parashqevinë, por vendosmëria dhe dashuria e Anit bënë që ata të ribashkohen në një moment të paharrueshëm.

Ky takim i shumëpritur vjen një javë pasi këngëtarja e njohur u gjet në rrugët e New Yorkut. E kthyer në një të pastrehë, larg shkëlqimit të dikurshëm që gëzonte si artiste, Parashqevi Simaku kishte mbijetuar me ndihmën e qytetarëve të thjeshtë. Kjo situatë ka prekur thellë shqiptarët kudo në botë, të cilët e mbajnë mend si një prej yjeve më të mëdha të muzikës shqiptare.

Ribashkimi me nipin e saj sjell një dritë shprese dhe një mundësi për ta ndihmuar këngëtaren të rikthehet në një jetë më të denjë. Njëkohësisht, ky moment ka nxitur reflektim mbi vlerësimin dhe kujdesin ndaj artistëve të mëdhenj që kanë kontribuar në kulturën dhe artin shqiptar.