Spiropali: Të brengosur që Kosova ende s’e mori statusin e vendit kandidat në BE, edhe pse e meritoi më herët

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka folur sot në mbledhjen e përbashkët në Kuvendin e Kosovës.

Spiropali mes të tjerash tha se Shqipëria është e brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende statusin e vendit kandidat për në BE, edhe pse sipas saj këtë e ka merituar më herët, shkruan Zeri.info.

“Jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status, që sipas një gjykimi të përgjithshëm e ka merituar më herët. Ne nxisim pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende të pranojnë se çfarë mund të bëhet tani, nuk është mirë të lihet më vonë, se herët a vonë Kosova do të jetë edhe një flamur në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian”, tha Spiropali në Kuvendin e Kosovës.

Ajo përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka tha se është vetëm çështje kohësh.

“Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ne besojmë se Republika e Kosovës i ka përmbushur kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj është vetëm çështje kohësh dhe do të ndodhë shpejt”, tha ajo. /Zëri