Me kërkesë të presidentes Osmani, BE-ja dërgon mision vëzhgues zgjedhor në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga përfaqësuesja e lartë/zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, të dërgojë një Mision të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 9 shkurt 2025.

Kërkesës së Osmanit i është përgjigjur pozitivisht Kallasi, e cila ka emëruar Nathalie Loiseaun anëtare të Parlamentit Evropian, si kryevëzhguese.

“Misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të saj, do të demonstrojnë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen e saj demokratike. Prania e misionit në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke i lejuar votuesit kosovarë të shprehin qartë zgjedhjet e tyre”, thuhet në njoftimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së.

Kryevëzhguesja Loiseau tha: “Ndihem e nderuar që shërbej si kryevëzhguesja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 2025 në Kosovë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të parat që do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili ka marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme. Mezi pres të angazhohem me autoritetet, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore në Kosovë”.