Ngrihen çmimet në prag të festave të fundvitit

Me ngrohtësinë e festave të fundvitit vijnë edhe obligimet familjare për të shtruar tryezat festive. Mirëpo, çmimet e larta të produkteve në treg duket se zbehin këtë magji për shumë qytetarë.

Disa prej tyre madje mendojnë se zakonisht festat shfrytëzohen për manipulim me çmimet.

Se qytetarët po bartin barrën e çmimeve të larta e deklaron edhe Selatin Kaçaniku nga Shoqata e Konsumatorëve. Sipas tij, tregtarët po luajnë me çmime, duke bërë kinse ka zbritje për festa.

“… në prag të festave këto kulmojnë sepse tregtarët e shfrytëzojnë dhe i keqpërdorin festat e fundvitit. Duhen çmime korrekte s’po them të ulëta, por po abuzohet, po lozin me çmime…”, tha Kaçaniku për rtv21.

Frika se nuk mund të sigurohen produktet bazë për jetesë si pasojë e çmimeve të larta te qytetarët shkakton çrregullime emocionale, deklaron sociologu Vehbi Mujku.

“…pamundësia e blerjes së produkteve si shkak i çmimeve të larta shkakton ndjesi të thyer emocionale edhe te prindërit edhe tek fëmijët të cilët ndihen keq për shkak se fundviti ka shpenzime. Krijohet pasiguri e madhe emocionale. Kjo mund të reflektohet edhe në aspekte të ndryshme siç janë konfliktet…”, tha Mujku.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit për muajin nëntor janë më të larta për 0,7% sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.