Wisner: Administrata “Trump” s’do të duhej të tundohej nga zgjidhjet territoriale në Ballkan

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner, thotë se Kosova sot është një histori e përzier - “nuk ka arritur gjithçka që ka dëshiruar, por e ka ndërtuar veten si një shtet sovran në familjen evropiane”.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Wisneri thotë se Serbia, ende sot e kësaj dite, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, ndaj edhe marrëveshjet e arritura mes dy vendeve, sipas tij, nuk funksionojnë.

Për arsyet e veta thotë se Kosova duhet ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por me “përgjegjësi shumë të kufizuara”.

Wisner beson se është ende herët të thuhet se çfarë mund të pritet nga administrata e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

“Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale... Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Wisner, dy dekada më parë, ju ishit një figurë kyçe në negociatat për statusin e Kosovës. Mbi 25 vjet nga lufta dhe në prag të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si do ta vlerësonit përparimin e saj ndër vite?

Frank Wisner: Kosova e ka arritur pavarësinë e saj - një ëndërr të kamotshme - e ka ndërtuar veten si një komb i pavarur dhe ka hyrë pjesërisht në familjen e kombeve. Por, ajo është kundërshtuar vazhdimisht nga Serbia, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e saj. Si rezultat, Serbia ka arritur ta bllokojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe një numër shtetesh nuk e kanë njohur.

Por, në të njëjtën kohë, Kosova ka arritur që si vend i ri ta përmirësojë gjendjen e saj ekonomike dhe t’i përmirësojë institucionet e saj politike.

Radio Evropa e Lirë: Në retrospektivë, a besoni se Kosova ka mundur të bëjë ndonjë gjë ndryshe, që mund ta kishte përmirësuar situatën e saj sot?

Frank Wisner: Jo. Kam menduar shpesh për këtë, por Serbia ka qenë shumë e vendosur për ta bllokuar pavarësinë e Kosovës. Ka qenë e pamundur të kapërcehej ajo pengesë. Kundërshtimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës nuk është qetësuar për asnjë minutë gjatë këtyre viteve.

Dhe, derisa Serbia ta pranojë faktin se Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe është e gatshme të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me të, unë nuk pres ndonjë zgjidhje mes tyre.

Institucionet evropiane janë përpjekur shumë për t’i ndihmuar dy palët që ta pranojnë njëra-tjetrën dhe nuk ia kanë dalë. Shtetet e Bashkuara nuk ia kanë dalë. Derisa Serbia të bindet se është në interesin e saj që ta lejojë Kosovën të jetë një vend plotësisht i pavarur, nuk do të ndodhë asgjë, statusi përfundimtar nuk do të arrihet.

Radio Evropa e Lirë: E kanë thënë edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se dy shoqëritë nuk janë ende gati për marrëveshje përfundimtare. Ju a mendoni se ka rrugëdalje?

Frank Wisner: Serbia, në veçanti, nuk është gati të pranojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe ta pranojë pavarësinë e saj. Derisa të arrihet kjo, nuk shoh zgjidhje të statusit përfundimtar.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KETU