Të shtëna armësh në një aheng në “Mati 1”, arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar sot për të shtëna armësh në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

Policia ka konfirmuar për “Zërin” se i dyshuari I.S. është arrestuar sot, pasi ka shtënë me armë në një aheng familjar.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Mati’, në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët policorë, të cilët kanë sekuestruar një armë dhe kanë arrestuar personin e dyshuar: I.S., mashkull, i cili kishte shtënë në një aheng familjar”, ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo shtoi se ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore.

“Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie. Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë të gjithë qytetarët që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident”, tha Ahmeti. /Zëri