Ndalohen tre persona në Ferizaj për përpunim të paautorizuar të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh tre persona të dyshuar, dy nga ta shtetas të Sllovakisë, ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim në qytetin e Ferizajt.

Sipas Prokurorisë së Ferizajt, të njëjtët janë ndaluar për shkak të dyshimit se në një laborator, të cilin e kanë ndërtuar në fshatin Sllakoc i Epërm - Komuna e Gjilanit, kanë bërë përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike, raporton Zeri.info.

“Me këto veprime të njëjtët dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’, nga Neni 268 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj me këtë rast njofton se ndaj të dyshuarve në këtë rast brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.