Siria nuk është një kërcënim për botën, thotë udhëheqësi rebel Ahmed al-Sharaa

Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë se vendi është i rraskapitur nga lufta dhe nuk është një kërcënim për fqinjët e saj ose për Perëndimin.

Në një intervistë për BBC në Damask, ai bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, përcjell Telegrafi.

“Tani, pas gjithë asaj që ka ndodhur, sanksionet duhet të hiqen sepse ato ishin në shënjestër të regjimit të vjetër. Viktima dhe shtypësi nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë”, citohet të ketë thënë ai.

Sharaa udhëhoqi ofensivën e rrufeshme që rrëzoi regjimin e Bashar al-Asad më pak se dy javë më parë.

Ai është udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi dominues në aleancën rebele.

Ai mendon se HTS duhet të hiqet nga lista si një organizatë terroriste pasi si e tillë ishte caktuar nga OKB-ja, SHBA, BE dhe Britania e Madhe, ndër shumë të tjera, pasi filloi si një grup i ndarë i Al-Qaidas, nga i cili u shkëput në vitin 2016.

Veç këtyre, ai mohoi se donte ta kthente Sirinë në një version të Afganistanit.

Sharaa tha se vendet ishin shumë të ndryshme, me tradita të ndryshme. Afganistani ishte një shoqëri fisnore. Në Siri, tha ai, kishte një mendim tjetër.

Dhe ai shtoi se beson në edukimin për gratë.

“Unë mendoj se përqindja e grave në universitete është më shumë se 60%”.

Dhe kur u pyet nëse konsumimi i alkoolit do të lejohej, Sharaa tha: “Ka shumë gjëra për të cilat thjesht nuk kam të drejtë të flas sepse janë çështje ligjore”.

Ai shtoi se do të ketë një “komitet sirian ekspertësh ligjorë për të shkruar një kushtetutë. Ata do të vendosin. Dhe çdo sundimtar apo president do të duhet të ndjekë ligjin”.