“Pesë orë me të” – rrëfimi emocionues i aktorit shqiptar që e ka takuar Parashqevi Simakun në stacionin e trenit
Aktori i njohur shqiptar, Herion Mustafaraj, në një lidhje direkte në Top Channel ka rrëfyer takimin me Parashqevi Simakun, para se videoja e saj të bënte bujë të madhe në rrjete sociale.
Ata dikur kishin qenë miq të ngushtë, ndonëse kishin shkëputur marrëdhëniet prej gati 15 vitesh, që pas divorcit të këngëtares.
I njëjti rrëfeu se kërkimet e tij për ta gjetur kishin dështuar, por që videoja e vuri sërish në lëvizje.
Ai ka ndarë 5 orët e kaluara me të në stacionin e trenit, me një Parashqevi krejtësisht ndryshe.
“Vetëm një herë e kam takuar dhe atë ditë që e takova, brenda 5 orëve qe bëmë muhabet folëm për gjithçka, mbi të shkuarën tonë, mbi shoqërinë tonë, më pyeti për njerëzit. Fliste për Bobin, të shoqin e vet në mënyrë më superlative, domethënë duke e përkëdhelur, Bobushka, Bobushka më thoshte akoma ashtu siç i thërriste para 20 vitesh. Sa i mirë është Bobushka, të më sjelli çunin”, u shpreh ai.
“E njihnin si “mama Vivi” të gjithë. Po të them ishte mamaja e te gjithë të pastrehëve. ‘She found a home’, kishte gjetur shtëpinë e vet. Dy kualitete mësova nga Parashqevia që të kuptoni që kjo ka qenë zgjedhja e vet, përulja edhe falja. Parashqevia kishte një ideal të madh brenda vetes, të fitonte fëmijën e saj, të cilin e kishte humbur. Asgjë tjetër nuk i interesonte. Por mua më bëri të kuptoj diçka, që nuk ka dashuri me të madhe se dashuria e nënës. Pra Parashqevia ngre figurën e nënës në të gjithë botën”, theksoi ndër të tjerash aktori.
Simaku u raportua së fundmi se ka rënë në kontakt me djalin dhe se ka folur me të pas një kohe shumë të gjatë. /Telegrafi/