Shpend Ahmeti debuton në stand-up komedi, do të marrë pjesë në festivalin “Varg e Vi”
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, do të ngjitet për herë të parë në skenë si stand-up komedian. Ai do të jetë pjesë e Festivalit të Stand-Up Komedisë “Varg e Vi”, që mbahet më 27 dhjetor në Teatrin e Gjilanit.
Lajmi për debutimin e tij u bë i ditur nga drejtori i festivalit, Migjen Fazliu, i cili konfirmoi përmes një postimi në rrjetet sociale pjesëmarrjen e ish-kryetarit. “Siç e paralajmërova para disa ditësh, befasia është Shpend A. Ahmeti. E kemi nderin me pasë në Gjilan për herë të parë me një performancë të stand-up komedisë,” shkroi Fazliu, duke rritur kureshtjen dhe pritshmëritë për këtë performancë të pazakontë.
Ky hap i ri për Shpend Ahmetin vjen pas një karriere të gjatë dhe të pasur në politikë. I lindur më 18 prill 1978, Ahmeti ka shërbyer si Kryetar i Komunës së Prishtinës për dy mandate, për tetë vite, duke qenë një nga figurat më të njohura dhe me ndikim në jetën publike të Kosovës. Ai ka qenë kryetar i partisë Fryma e Re, e cila më vonë u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje, ku Ahmeti shërbeu si nënkryetar për disa vite. Në vitin 2018, ai u largua nga Vetëvendosje për të udhëhequr Partinë Socialdemokrate të Kosovës, para se të distancohej edhe nga ajo parti pas një periudhe të shkurtër.
Përveç politikës, Ahmeti ka një profil të spikatur akademik. Ai ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Amerikan të Bullgarisë dhe një master në Politika Publike nga Universiteti i Harvardit, duke u specializuar në zhvillimin politik dhe ekonomik. Për shumë vite, ai ka qenë ligjërues i politikave publike dhe ekonomike në Universitetin Amerikan të Kosovës.
Debutimi i tij në stand-up komedi pritet të sjellë një përzierje të analizës së tij karakteristike të situatave politike dhe sociale me një dozë humori të freskët. Audienca e festivalit “Varg e Vi” pritet me entuziazëm të shohë një anë tjetër të ish-politikanit, i cili tashmë po eksperimenton me një medium të ri të shprehjes.
Performanca e Shpend Ahmetit në këtë festival është një risi për publikun dhe një hap i guximshëm për të, duke treguar se arti dhe politika mund të gjejnë një pikë të përbashkët përmes humorit. Gjithçka do të zbulohet më 27 dhjetor, kur ai të ngjitet në skenën e Teatrit të Gjilanit. /Telegrafi/