Nëse e shihni këtë person, lajmëroni Policinë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në bazë të autorizimit të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka publikuar fotografinë e personit të dyshuar për një rast vjedhjeje, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Rasti ka ndodhur në një market në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ndërsa Policia po kërkon bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e tij, transmeton Zeri.info.

Policia ka bërë të ditur se hetimet intensive të zhvilluara deri më tani nga Njësia e Hetimeve në Stacionin Policor të Gjakovës, në bashkëpunim me njësite të tjera policore, nuk kanë rezultuar ende në gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme hetimore dhe operative.

“Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve, nëse kanë ndonjë informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e publikuar, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt policor, qoftë përmes numrave kujdestarë të telefonit 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë), apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.

Çdo informacion i ofruar që do të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.