14 çanta me mbi 1 milion tableta dhe 300 mijë euro, kapet në Rinas grupi nga Kosova

Pesë persona nga Kosova janë arrestuar nga policia e Shqipërisë në Rinas. Ata dyshohet se do fusnin në Shqipëri barna të dyshuara të kontrabanduara, që më pas përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSH-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç”, njoftoi Policia.

Uniformat blu thonë se në 14 valixhe, bagazhe të të arrestuarve, janë gjetur mbi 1 milion tableta të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417 kg. Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjetën edhe 300 mijë euro që ai nuk i kishte deklaruar.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se pesë të arrestuarit synonin t’i dërgonin përfundimisht në Kosovë barnat e blera në Jordani.

“Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi Policia. /tvklan.al