Kontrata me prodhuesin turk të municionit, Haradinaj: Gabim të lihen anash kompanitë amerikane me letra mbi tavolinë

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka shprehur mirënjohje ndaj Turqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, por njëkohësisht ka kritikuar institucionet për lënien anash të kompanive amerikane.

Haradinaj ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-të, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.

“Është gjithmonë lajm i mirë kur Kosova avancon në sektorin e sigurisë dhe prodhimit të municionit. Por të lihen anash kompanitë amerikane me letra mbi tavolinë, është gabim. Falënderues ndaj Turqisë për përkrahjen e vazhdueshme, mirëpo çdo gjë që ka të bëjë me ushtri, municion e siguri – i jemi borxhli të përjetshëm Amerikës,” ka deklaruar ai.

Haradinaj ka tërhequr vëmendjen edhe për gabimet strategjike në sektorin energjetik, duke përmendur anulimin e kontratës me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe projektin e gazsjellësit amerikan.

“Gabim në hapa, njësoj sikur me energjetikë, me anulimin e kontratës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re dhe me anulimin e projektit të gazsjellësit amerikan,” ka shtuar Haradinaj.

Në fund, ai ka bërë thirrje për transparencë ndaj Kryeministrit, duke kërkuar publikimin e kontratave.

“Publiko kontratën Kryeministër! Boll më,” ka përfunduar ai.