Vetëm 39% e qytetarëve e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor një vend të sigurt për të jetuar

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) sot prezantoi rezultatet e anketës “SecuriMeter 2024” në një event të mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues qeveritarë, diplomatë, organizata ndërkombëtare, profesionistë të sigurisë dhe media.

“SecuriMeter 2024” ofron një pasqyrë të perceptimit publik mbi sigurinë, qeverisjen dhe besimin në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar informacione të rëndësishme për të formuluar strategji për të ardhmen e rajonit.

“Sot nuk po prezantojmë thjesht një raport; po amplifikojmë zërat e mijëra qytetarëve nga Ballkani Perëndimor.

Historitë e tyre na kujtojnë se siguria nuk është thjesht një prioritet politik – ajo është një përgjegjësi e përbashkët. Këto gjetje na shtyjnë të veprojmë, jo me hezitim, por me urgjencë dhe vendosmëri,” tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, në hapje të ngjarjes.

Anketa, e zhvilluar me 6,000 të anketuar në të gjithë rajonin, tregon një pasqyrë të ndërlikuar:

Vetëm 39 për qind e qytetarëve mendojnë se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurt për të jetuar, duke theksuar shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë, 48 për qind kanë frikë se mund të ndodhë një luftë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme, 59 për qind e qytetarëve ndihen të sigurt personalisht, por pasiguria më e gjerë rajonale mbetet, 36 për qind e shohin depopullimin si një problem të madh, ndërsa 23 për qind po planifikojnë ose janë në proces emigrimi, 83 për qind besojnë se korrupsioni është i përhapur, duke theksuar nevojën për reforma në qeverisje.

Rezultatet gjithashtu nxjerrin në pah shqetësime të rëndësishme të sigurisë me dimension gjinor, me 66 për qind të grave që e identifikojnë dhunën në familje si një kërcënim të rëndësishëm dhe 54 për qind që e shohin ngacmimin seksual si një shqetësim të vërtetë. Sipas statistikave të disponueshme në rajon, mesatarisht një grua vritet çdo javë.

“Këto nuk janë thjesht statistika; ato janë thirrje për veprim. Siguria e grave është një themel i çdo shoqërie të sigurt dhe të drejtë”, theksoi Majlinda Bregu.

Të dhënat e “SecuriMeter 2024” ofrojnë një hartë për adresimin e këtyre sfidave përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, politikave të synuara dhe iniciativave për ndërtimin e besimit.

Sekretarja e përgjithshme e RCC-së theksoi nevojën për: “Progres të dukshëm për të rivendosur besimin e publikut, me vetëm 31 për qind të qytetarëve që besojnë se rajoni do të jetë më i sigurt në 12 muajt e ardhshëm, ndërhyrje efektive për të adresuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe dobësitë institucionale, politika të plota për të trajtuar depopullimin, çështjet e sigurisë gjinore dhe sfidat ekonomike, integrim më të thellë në BE dhe NATO, pasi 31 për qind e qytetarëve e njohin rolin e NATO-s në stabilitetin rajonal”.

Majlinda Bregu gjithashtu reflektoi mbi arritjet e RCC-së gjatë mandatit të saj, duke theksuar përparimin në sigurinë kibernetike, kontrollin e armëve dhe bashkëpunimin rajonal. “Duke punuar së bashku, ne jo vetëm që po forcojmë sigurinë për Ballkanin Perëndimor, por po kontribuojmë në një Evropë më të qëndrueshme dhe të bashkuar”.

Prezantimi përfshiu një diskutim dinamik në panel, të moderuar nga gazetarja e njohur Lutfi Dervishi.

Në panel ishin të pranishëm: Zhidas Daskalovski, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike “Nënë Tereza”; Alida Vraçiq, drejtoreshë Ekzekutive e Populari; dhe Agon Maliqi, analist Politik dhe bashkëthemelues i Sbunker.net.

Paneli shqyrtoi hapa praktikë për të shndërruar gjetjet e raportit në politika të zbatueshme, duke u fokusuar në qeverisje, besim dhe sigurinë rajonale.

Që nga krijimi i tij në vitin 2021, “SecuriMeter” ka ofruar njohuri të paçmuara mbi perceptimet publike, duke shërbyer si një mjet për politikanët për të krijuar përgjigje të bazuara në fakte për sfidat që lindin. Anketa e këtij viti nënvizon natyrën e ndërlidhur të çështjeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën kritike për zgjidhje të përbashkëta.

E financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, SecuriMeter është një nga përpjekjet kryesore të RCC-së për të lidhur perceptimet me politikat.

Për më shumë informacion mbi gjetjet dhe raportin e plotë, vizitoni www.rcc.int/securimeter. /telegrafi