Tahiri kritikon Qeverinë: Me këta njerëz sanksionet do të vazhdojnë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Tahiri, kritikoi Qeverinë aktuale, duke e cilësuar si të papjekur dhe të dëmshme për agjendën e Kosovës në raport me SHBA-në.

Ai shtoi se mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe qëndrimet e Qeverisë aktuale kanë sjellë pasoja të rënda për marrëdhëniet Kosovë - SHBA dhe kanë kontribuuar në vazhdimin e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Unë besoj që Kosova do të ketë një qeveri të re një kryeministër të ri siç është Bedri Hamza, i cili ka dyert e hapura edhe në Shtëpinë e Bardhe edhe në Departamentin e Shtetit. Këta që tash po shkojnë, kanë qenë të papjekur e kanë dëmtuar agjendën shumë në raport me SHBA-në.

Papjekuria e tyre apo tendenca e qëllimshme me i dëmtu këto relacione i kanë sjellë një dëm të madh Kosovës. Më këta njerëz relacionet nuk mund të ndryshojnë me SHBA-në, me këta njerëz sanksionet do të vazhdojnë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka komentuar edhe mosparaqitjen e Kurtit në Prokurorinë Speciale, duke thënë se është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri i vendit organin e akuzës.

“Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që më bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot”, ka thënë Tahiri. /dukagjini