Gashi: MPJD-ja, e përkushtuar për projekte që promovojnë Kosovën

Përfaqësues të 24 shteteve evropiane ishin në Kosovë në Konferencën e 4-t Evropiane të Federatës Ndërkombëtare të Festivaleve të Kërcimit.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, ka vlerësuar punën e organizatorëve të cilët sipas saj, kanë paraqitur dimensionin më të mirë kulturor të vendit, duke forcuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ky festival është një nga shembujt më të mirë të diplomacisë kulturore dhe të ndërlidhjes mes vendeve, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe njohjen e artistëve nga e gjithë bota”, tha zëvendësministrja Gashi.

Sipas Gashit, të tilla aktivitete kanë rëndësi të veçantë për forcimin e lidhjeve ndër-rajonale, duke nxitur mirëkuptimin dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit.

“Arti ndërton ura, por ajo çka është më e rëndësishme, sjell energji dhe pasion për një transformim pozitiv të shoqërisë”, shtoi ajo.

Zëvendësministrja theksoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të mbështetur iniciativa dhe projekte që sipas saj, promovojnë Kosovën dhe pasurojnë imazhin e saj pozitiv në botë.

Kjo konferencë e organizuar nga FIDAF-i, sipas MPJD-së, ofroi një mundësi unike për të promovuar Kosovën si një destinacion kulturor dhe për të forcuar rolin e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar.