“Arti i Lumit në Tiranë”, organizohet takim përkujtimor në nderim të regjisorit Bekim Lumi

Bashkëpunimi kulturor ndërshtetëror Shqipëri – Kosovë sjell në Tiranë artin e regjisorit Bekim Lumi. Në saje të bashkërendimit të punëve në mes të Universitetit të arteve të Tiranës, MKRS-së dhe të MPJD-së të Qeverisë së Kosovës, të martën, më 17 dhjetor 2024, mbahet takimi përkujtimor në nderim të Bekim Lumit, i cili ishte student në Fakultetin e Arteve Skenike, në Tiranë në vitet ’90, për të krijuar më pas, në Prishtinë, shfaqje teatrore, të cilat vlerësohen emblemë e Teatrit shqiptar. Këto shfaqje kanë përfaqësuar kulturën shqiptare në teatrot evropiane, duke u vlerësuar me çmime të mëdha.

Manifestimi me moton “Arti i Lumit në Tiranë” do të ketë këtë rrjedhë gjatë ditës:

17:30 -18:30 Salla Lektorium – Universiteti i Arteve

– Fjalë nderi, shqyrtime kritike, promovimi i tri librave të Bekim Lumit; “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë” Dukagjinit, “Engjëlli blu”, “Loja e Bekim Lumit” si dhe 5 numrat e Revistës teatrore “Loja”, kryeredaktor i së cilës ishte ai. Do të flasin studiues dhe do të recitojnë aktorë nga Tirana dhe Prishtina.

– 18:30 – 19:30 Galeria FAB e Fakultetit të Arteve Skenike,

Hapja e Ekspozitës “U artësofshi”, kurator Mentor Berisha, me fotografi, dokumente dhe rekuizita të shfaqjeve të Lumit.

Libra, revista dhe fletëpalosja të shfaqjeve do të dhurohen për Bibliotekën dhe për studentët e Fakultetit të arteve skenike.

-20:00 – 21:15 Teatri Kombëtar - ART TURBINA

Shfaqja e Teatrit Laborator “Loja”;

“John Cage’s Hamlet”, në regji të Bekim Lumit

Këtë ngjarje kulturore ndërshqiptare e kanë ideuar dhe mbështetur dy Ambasadat e vendeve tona me angazhimin e ambasadorëve Petrit Malaj dhe Skënder Durmishi, nën përkujdesjen e Dekanit të Fakultetit të arteve në Tiranë, Miltiadh Kutali dhe Këshillit organizativ për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë krijuese të Bekim Lumit, në Prishtinë

Ejani të martën në Tiranë, më 17 dhjetor dhe shijoni shumëçka nga vlerat e artit bekimian! Ftoni edhe të dashurit dhe të afërmit tuaj! Arti nuk e do dhe nuk e duron harresën! /kultplus