Prindi largoi djalin me aftësi të kufizuara nga shkolla në Shkabaj, thotë se s’gjeti mbështetje nga drejtoria
Muhamet Marteta është detyruar ta ndalojë nga shkolla djalin e tij 12-vjeçar me aftësi të kufizuara si shkak i mosgatishmërisë për bashkëpunim nga ana e stafit, siç pretendon ai, dhe nga iniciativat e prindërve të tjerë për të larguar djalin e tij.
Në vend se të shfletojë në bankat shkollore, këtë po e bënë tash e dy muaj në shtëpinë e tij.
Djali 12 vjeçar i Muhamet Martetës, Darisi, i cili është me nevoja të veçanta, konkretisht i diagonistikuar me ngecje të lehtë intelektuale, ka ndërprerë mësimin në shkollën “Dituria” në Shkabaj.
Kjo, si pas Martetës, erdhi si rezultat i dy çështjeve, mosbashkëpunimit institucional dhe dhe presioni i kolektivit, megjithëse thotë se kishte pranuar për një kohë vëretje për sjelljen e tij.
Muhamet Marteta, prindi i djalit me aftësi të kufizuara tha se “Problemi është se problemet që thonë se Darisi po i bën në klasë, nuk i bën në korridor, as në oborr e as në shtëpi, as rrugës, nuk i bën ato. Mësueset kërkuan ta fusnim në plan individual dhe të punonim me të… Me mësim s’ka qenë askund por më interesonte për këto sjellje Gjashtë vite shkollë i ka por jo ditë të mirë, ka pasur presion në vazhdimësi. Kur vinte në shtëpi bisedonim me të, na thoshte se mund t’i ngacmojë, na thoshte se mund t’i ngacmojë ndonjëherë por kur tregojë, nuk marrin masa ndaj të tjerëve por vinë direkt te unë. Siç më ka thënë mësuesja ndihmëse, drejtorit, nëse një fëmijë ka këto sjellje, ai nuk mund të jetë normal. Të kërcejë, të ofendojë…”.
Ani pse djalit iu ofrua një asistente për të ndihmuar me planin e tij të veçantë, prindi thotë se nuk e gjeti gatishmërinë nga menaxhmenti.
Por, ishte një tjetër veprim që kishte detyruar Martetën që fëmijën ta largoj nga shkolla.
Muhamet Marteta, prindi i djalit me aftësi të kufizuara deklaroi se “U zgjua për shkollë si zakonisht dhe kur shkoi në shkollë i pa prindërit e shokëve në korridor. Ka hyrë në klasë dhe prindërit kanë hyrë dhe i kanë marrë fëmijët nga aty dhe janë larguar, kishte mbetur vetëm Darisi. Më tha se kujdestarja se i kishte thënë: ‘Tani kënaqu Daris’. Ai kishte marrë çantën dhe kishte ardhur në shtëpi”.
Si zgjidhje, iu ofrua transferi në një shkollë tjetër për çka Marteta nuk ishte kundër, por lëvizja nuk është materializuar dhe kërkesa e tij është që t’i bëhet një zgjidhje, duke e kthyer në shkollë.
Muhamet Marteta, prindi i djalit me aftësi të kufizuara tha se “Kërkesa ime është të na bëjnë zgjidhje për djalin, të na e dërgojnë në shkollë. Ata e kanë largu, ata t’ia bëjnë zgjidhjen. Por këtu nëse duan ta lëjnë, do e bëjnë zgjidhjen të merren me të. Nëse jo mos të më marrin në qafë më shumë. Boll më kanë marrë”.
E nga shkolla, thonë se punën e tyre e kanë kryer.
Lendrit Dragusha, drejtor i shkollës “Dituria” deklaroi se “Komuna e Prishtinës ka deleguar dikë prej DKA-së, ia ka mundësuar të shkojë në një shkollë tjetër me një asistente, e cila ka qenë e angazhuar për fëmijën. Prindi nuk po i tërheq dokumentat dhe po kërkon që t’i bëhet transferi. Si menaxhment nuk kemi të drejtë me ia bërë transferrin se s’jemi kompetent. Nëse tregojmë realitetin, ne kemi dëshmi, raportojmë edhe në DKA. Ai zakonisht na ka akuzuar por realiteti është ndryshe. Është bojkotu edhe mësimi për këtë djalë, kjo e tregon të kundërtën. Fëmija është në plan individual që bëhet bashkë me psikologen dhe mësuesen mbështetëse. Po ai në klasë i lëndon të tjerët. Për mos me ardh puna deri aty, i kanë ndal nxënësit dhe nuk i kanë sjellur në shkollë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, e kemi ftuar prapë ta sjell djalin…por nëse goditen fëmijët, nëse unë nuk ua mundësoj sigurinë ku mbetet pozita ime? S’di çka bëjmë më shumë për atë djalë”.
Në lidhje me këtë rast, televizioni ka tentuar të kontaktojë edhe me Drejtoreshën e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu, po e njëjta nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit. /Dukagjini