UNESCO kërkon mbrojtje urgjente për Ohrin

UNESCO, për të tretën herë, paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm.

Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Misioni reaktiv i UNESCO-s në raportin e fundit për rajonin e Ohrit përsëri theksoi nevojën urgjente që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit.

Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që thotë se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.

Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

UNESCO, për të tretën herë, paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm. Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Misioni reaktiv i UNESCO-s në raportin e fundit për rajonin e Ohrit përsëri theksoi nevojën urgjente që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit.

Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që thotë se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.

Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga autoritetet lokale të Ohrit, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori koment lidhur me raportin e ri të UNESCO-s, si dhe për reagimet e organizatave qytetare në vend që kërkojnë zbatimin urgjent të rekomandimeve, përfshirë ndërtimet e shumta pa leje.

Bazuar në të dhënat nga Komuna e Ohrit, të cilat REL-i i mori më parë, nga 1 janari i 2020-ës deri në shtator të viti 2024, inspektorët kanë evidentuar 120 ndërtime të paligjshme. Ndërsa, nga korriku i vitit 2006 e në vazhdim, komuna ka evidentuar 869 ndërtime të paligjshme.

Përndryshe, vetëm në territorin e komunës së Ohrit janë dorëzuar 15.939 kërkesa për përcaktimin e statusit juridik të gjithsej 19.935 objekteve të ndërtuara pa leje, nga të cilat 416 ndodhen në zonën e bregut të Liqenit të Ohrit, dhe 2.347 në territorin e Parkut Kombëtar të Galiçicës, sipas një dokumenti nga Komuna e Ohrit.

Kërkesat janë dorëzuar pas miratimit të Ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje nga viti 2011, me të cilin lejohej që ndërtimet pa leje të realizuara para këtij viti (2011) të legalizoheshin.

Por, nga organizata “Front 21/42”, alarmojnë për raste të reja të ndërtimeve të paligjshme në territorin e Kënetës së Studeniçishtës, në Ohër, për të cilën është në fuqi vendimi për mbrojtje të përkohshme.

“Rasti ynë i fundit ilustron shumë qartë shkatërrimin e vlerave për shkak të moszbatimit dhe shkeljes së ligjeve pikërisht nga institucionet, detyra themelore e të cilave është t’i zbatojnë ato. Trashëgimia e vetme natyrore dhe kulturore në vend po shkatërrohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe është viktimë e mungesës së sundimit të ligjit”, thonë nga organizata “Front 21/42”.

Aktivistët për këtë rast kanë dorëzuar iniciativa për mbikëqyrje inspektimi në disa institucione përkatëse, por thonë se pavarësisht komunikimit gjashtëmujor me inspektorët shtetërorë dhe lokalë, nuk janë ndërmarrë masa efektive.

“Për shkak të mosveprimit të tyre, brenda kënetës është zhvilluar një kompleks urban, gjë që ka shkaktuar degradim të mëtejshëm të kësaj pike kyçe për biodiversitetin e Liqenit të Ohrit”, thonë nga organizata.

Masa edhe nga Shqipëria

Përgjegjësia për Rajonin e Ohrit nuk bie vetëm mbi Maqedoninë e Veriut. Detyrime ka edhe Shqipëria pasi një pjesë e Liqenit të Ohrit që gjendet në territorin shqiptar është nën mbrojtje që nga viti 2019.

Shqipëria, ndër të tjera, duhet të rishikojë Planin e përgjithshëm të Pogradecit, të parandalojë zhvillimin urban në bregdet, si dhe në zonën e ndjeshme të Drilonit.

“Është e nevojshme që të dyja vendet të hartojnë një vlerësim strategjik mjedisor që do të analizojë efektet kumulative të aktiviteteve zhvillimore”, thekson UNESCO, duke shtuar se dialogu ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet – nga niveli më i lartë institucional deri në atë operacional – për të siguruar një zbatim të suksesshëm të rekomandimeve.

Deri më 1 shkurt 2025, të dyja vendet janë të detyruara të paraqesin një raport të përbashkët për progresin dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e rajonit.

“Është urgjentisht i nevojshëm një mobilizim i gjerë për të ruajtur vlerën e jashtëzakonshme universale të rajonit të Ohrit. Vendosja në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik mbetet një opsion nëse nuk merren masat e nevojshme”, paralajmëron UNESCO.

Ohri, një simbol i historisë së pasur dhe bukurisë natyrore, përballet me një sfidë që kërkon forca të bashkuara nga të dyja vendet dhe vendosmëri për të ruajtur trashëgiminë e tij për gjeneratat e ardhshme.

Zbatimi i rekomandimeve për kërcënimet ndaj Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës po shqyrtohet edhe nga Komiteti i Konventës së Bernës. /REL