Thyerje të brinjëve, specialisti i Torakales flet për gjendjen e policit të lënduar nga aksidenti me autoblindë në veri
Njëri nga tetë zyrtarët policor të lënduar nga aksidenti me autoblindë në veri të vendit, është duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK. Për gjendjen e tij, ka folur për Ekonomia Online, Dr. Frederik Çuperjani, specialist i Kirurgjisë Torakale.
Ai ka thënë se pacienti i moshës 30 vjeçare ka thyerje të brinjave në të dyja anët e kraharorit por që gjendja e tij është stabile.
“Gjendja e pacientit është stabile për momentin, pacienti është duke u përcjellë. Lëndimet janë të rënda, pra kemi të bëjmë me shtypjen e kraharorit, me thyerje të brinjave në të dyja anët e kraharorit, mirëpo gjendja e tij është stabile, pacienti është i fuqishëm është i ri dhe besoj se çdo gjë do të shkojë sipas dëshirave tona. Mosha e tij është mbi 30 vjeçar, është një djalë i fuqishëm edhe njëherë për njëherë gjendja e tij po përcjellët dhe është premtuese, stabile”, ka thënë Çuperjani, teksa këto lëndimet i cilëson si të rënda. Ai ka thënë se në momentin kur është pranuar, ka qenë me vetëdije.
“Këto janë lëndime të rënda edhe gjendja e tij ka qenë e rënduar por pas ekzaminimeve janë parë lëndimet, pra mushkëria është e pacenuar, nuk kemi as ajër e as gjak në hapësirën pleurale edhe vetëm kemi konstatuar thyerjet e brinjëve dhe shtypjen e mushkërive dhe të kraharorit. Po, me vetëdije ka qenë”, u shpreh ai.
Tetë policë të Njësisë Speciale Operative kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti me autoblindë në veri të vendit, saktësisht fshatin Grabovc. Dyshimet janë se automjeti ka rrëshqitur dhe se ka dalë jashtë rrugës.