Katër nga tetë policët e aksidentuar nisen për në QKUK nga Spitali i Mitrovicës

Katër zyrtarë policorë janë nisur për të vazhduar tretmanin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas vetaksidentit në fshatin Grabovc të Zveçanit.

Nita Mustafa-Hakaj, zëdhënëse për media e Spitalit të Mitrovicës, tha se katër policët e tjerë janë duke vazhduar ta marrin tretmanin në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Vetaksidenti në fjalë ka ndodhur rreth orës 20:00, sipas Veton Elshanit, zëvendësdrejtor në Policinë e Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës”, ka deklaruar Elshani./telegrafi