Në Gjakovë arrestohet në flagrancë i dyshuari për fajde

Një person i dyshuar për fajde është arrestuar sot derisa është kapur në flagrancë duke marr para nga viktima.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me Sektorin Rajonal të Hetimeve – Gjakovë pas pranimit të informacioneve se një person i dyshuar mashkull kosovar ka kryer veprën penale ‘fajde’ ndaj viktimës mashkull kosovar, ka zbatuar masa të veçanta hetimore me ç’rast i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar në flagrancë duke marrë pagesat e kamatës nga viktima mashkull kosovar.

“Lidhur me rastin e lartcekur me urdhëresë të gjykatës është zhvilluar urdhër kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi 10 mijë euro para të gatshme, një telefon, një veturë me targa vendore si dhe fletore dhe dëshmi të tjera relevante për rastin”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit personi i dyshuar pas intervistimit dërgohet në mbajtje për 48 orë.