Aktori i Netflix, Jose de la Torre vdes në moshën 37 vjeçare

Jose de la Torre, i cili portretizoi personazhin Iván në serialin spanjoll të Netflix-it “Toy Boy”, ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare.

Lajmi u raportua për herë të parë nga publikimi spanjoll Montilla Digital, i cili bëri të ditur se aktori ndërroi jetë më 5 dhjetor pas një beteje të gjatë me një sëmundje të panjohur. Shërbimi mortor u mbajt në Spanjë ditën pas vdekjes së tij.

Në qershor, de la Torre kishte zbuluar se ishte diagnostikuar me një “sëmundje të rëndë” dhe se kishte ndërprerë aktivitetin e tij si aktor për t’u trajtuar.

De la Torre ishte pjesë e kastit të “Toy Boy” që nga premiera e tij në vitin 2019. Seriali, i cili numëron 21 episode përgjatë tre sezoneve deri në vitin 2021, ndjek historinë e Hugo Beltrán (luajtur nga Jesús Mosquera), një striptisti që përpiqet të vërtetojë pafajësinë e tij për një krim që nuk e ka kryer, pas shtatë viteve burg të padrejtë.

Kasti i serialit përfshinte edhe aktorë të tjerë si Cristina Castaño, María Pedraza, Carlo Costanzia dhe Raudel Raúl Martiato.

Përveç “Toy Boy”, de la Torre ishte i njohur edhe për rolin e tij në 36 episode të serialit të gjatë “Amar es para siempre”, një telenovelë që eksploron ringritjen sociale dhe ekonomike të klasës punëtore spanjolle gjatë viteve 1960 përmes aktiviteteve të përditshme të tavernës fiktive “El Asturiano”. Në këtë serial, José Antonio Sayagués dhe Manuel Baquerio ishin aktorët kryesorë.

Ai ka pasur gjithashtu role episodike në seriale të njohura si “Vis a Vis: El Oasis” dhe “Serve and Protect”.

José de la Torre lë pas babanë e tij Antonio de la Torre Hidalgo, nënën Maria Jose Delgado Espejo dhe motrën Marina. /Telegrafi/